
8 Marsi në Shqipëri vazhdon të konsiderohet ende si ditë feste, si dita e nënës, ndërkohë që në mbarë botën Dita Ndërkombëtare e Gruas konsiderohet si një ditë në të cilën përkujtohen përpjekjet për të përmirësuar pozitën proceduriale të gruas në shoqëri. Në këtë ditë Shoqata zgjodhi të ndalet për të informuar qytetarët, për të ndarë me ta informacionin në lidhje me të drejtat e grave, shërbimet që ofrohen për të mbijetuara e dhunës. Qyteti i Durrësit është tronditur gjatë fillimit të këtij viti me dy ngjarje të rënda, vetëvrasje dhe vrasje brenda mureve të shtëpisë. Gjatë vitit 2023 pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për Bashkinë Durrës janë regjistruar 722 vepra të dhunës në familje nga të cilat 444 UMM dhe 277 vepra penale. Ndërkohë në dy muajt e parë të këtij viti, pranë kësaj Drejtorie, vetëm për Bashkinë Durrës janë regjistruar 103 vepra dhune nga të cilat 59 UMM dhe 44 vepra penale.
Ky aktivitet, u organizua nga Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, në kuadër të projektit “Fuqizimi ekonomik për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, një hap vendimtar drejt riintegrimit të tyre”, i mbështetur nga AWEN-Albanian Women Empowerment Network, me fonde të Qeverisë Suedeze.