
Projekti:
U bashkuam me gra e vajza në Ditën Ndërkombëtare të Grave në një marshim paqësor që nisi pranë ambienteve të Shoqatës “Gender, Paqe e Siguri” e vijoi përmes Rrugës Tregëtare në Durrës, për të përfunduar në Shëtitoren “Taulantia” nën sloganin, "Për TË GJITHA Gratë dhe Vajzat: Të Drejta. Barazi. Fuqizim." 8 Marsi në Shqipëri vazhdon të konsiderohet ende si një ditë feste, si dita e nënës, ndërkohë që në mbarë botën konsiderohet si një ditë në të cilën përkujtohen përpjekjet për të përmirësuar pozitën proceduriale të gruas në shoqëri. Tema e këtij viti kërkon veprim për të hapur mundësi për të drejtat e barabarta, mundësitë për të gjithë dhe një të ardhme feministe ku askush nuk mbetet pas. Thelbësore për këtë vizion është fuqizimi i brezit të ardhshëm—rinisë, veçanërisht gratë e reja dhe vajzat adoleshente—si katalizatorë për ndryshimin e qëndrueshëm. Viti 2025 është shënon 30-vjetorin e Deklaratës dhe Platformës së Veprimit të Pekinit. Ky dokument është plani më progresiv për të drejtat e grave dhe vajzave në mbarë botën, që ka transformuar agjendën për të drejtat e grave në aspektin e mbrojtjes ligjore, aksesit në shërbime, angazhimit të rinisë dhe ndryshimit të normave sociale, stereotipeve gjinore. Por pavarësisht kësaj, gratë dhe vajzat në shoqërinë shqiptare vazhdojnë të përballen me dhunën në hapësirat familjare, punë të papaguar, mungesën e garantimit të të drejtave të barabarta dhe sigurimin e riintegrimit të të mbijetuarave të dhunës. Përgjatë vitit 2024 në Drejtorinë e Policisë Durrës janë plotësuar 471 Urdhëra të Menjëhershëm Mbrojtje dhe 286 kallëzime për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërkohë në vetëm në dy muajt e parë të 2025 janë regjistruar 75 Urdhëra të Menjëhershëm Mbrojtje dhe 40 kallëzime për veprë penale të “Dhunës në familje”. Kjo situatë kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve, institucioneve, komunitetit, shoqërisë civile për të ndërmarrë veprime dhe të investohet në promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Ky aktivitet, u organizua nga Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, në kuadër të projektit “Fuqizimi ekonomik për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, një hap vendimtar drejt ri-integrimit të tyre”, i mbështetur nga AWEN-Albanian Women Empowerment Network, me fonde të Qeverisë Suedeze.
Kronika:
https://durreslajm.al/8-marsi-dhjetera-vajza-e-gra-marshim-paqesor-ne-rruget-e-durresit-video/
https://amfora.al/8-marsi-ndryshe-ne-durres-marshim-thirrje-dhe-reflektim/