Bajana Çeveli, Zëri kumbues i një femre në shoqërinë maskiliste shqiptare.

 

Në një shoqëri që mban vendin e parë në Evropë për numrin e  vrasjeve nga partnerët intimë[1], Bajana ka zgjedhur të jetë zëri i atyre që çdo ditë  dhunohen, përdhunohen e vriten.

Misioni i saj në ndihmë të shtresave vulnerabël, grave dhe  fëmijëvë nisi në vitin 1999 në kohë të vështira për Ballkanin. Gra nga Kosova  që kishin përjetuar  dhunë çnjerëzore, vrasje të burrave të shtëpisë e përdhunime në sy të fëmijëve të tyre gjetën mbështetje në dyert e motrave të tyre shqiptare, një prej tyre ishte dhe Bajana. Kjo ishte pikënisja në rrugën e vështirë të sfidimit të mentalitetit patriarkal dhe ndryshimit të steriotipeve gjinore, jo vetëm në qytetin e Durrësit por në  të gjithë Shqipërinë.

Në fakt, dhuna në familje i ka rrënjët shumë më të thella në shoqërinë Shqiptare, madje ajo është përligjur edhe në Kanunin e Lek Dukagjinit, duke i dhënë të drejtën burrit për të “ndëshkuar” gruan e cila konsiderohej pronë e tij.[2]

Me këtë mission Bajana së bashku me të tjera gra e vajza vendosën të themelonin Shoqatën e Grave me Probleme Sociale, Durrës (SHGPS), sot Shoqata Gender, Paqe e Siguri. Projektet e para nisin në vitin 2000   me krijimin e qëndrave për grupet e vecanta të shoqërisë, fillimisht Qëndra për gra dhe vajza, Qëndra Rinore, Qëndra ditore e të moshuarve Durrës. Qëllimi i ngritjes së tyre   ishte zhvillimi i grupeve të të rinjve Durrsakë,  ofrimi i shërbimeve të strehëzës ditore të të moshuarve, ofrimi i mbështetjes psikologjike dhe ligjore të viktimave të dhunës në familje.

Prej fillesave të veta e deri në sot, pas gati dy dekadash qëllimi i saj mbetet i njëjtë. Në vitet 2000 gratë dhe vajzat në Shqipëri ndodheshin në mëshirë të fatit. Burrat, baballarët dhe bashkëshortët ishin ata që  kishin në dorë fatin e vajzave dhe bashkëshorteve të tyre, ishin ata që vendosnin se kur vajza duhej martuar, më kë duhej martuar, nëse duhet të vazhdonte studimet apo jo, nëse do i lejohej të punonte jashtë murreve të shtëpisë. Të gjitha këtyre  zgjedhjeve të bëra në emër të tyre i shtohej edhe dhuna. 

Legjislacioni Shqiptar kishte mangësi për mbrojtjen dhe garantimin e barazisë gjinore mes burrave dhe grave. I pari parashikim ligjor ishte ai i sanksionuar  në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, [3]ndërkohë vite më parë, prej 1992 shteti Shqiptar kishte ratifikuar një sërë konventash Ndërkombëtare që e detyronin të merrte masa konkrete në respektim të të drejtave të grave dhe mosdiksriminimit për shkak të gjinisë. 

Pavarësisht këtyre, hapi  i parë  konkret, ishte miratimi i Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në familje (SKBGj-DhF) 2007-2010 dhe miratimi i Ligjit Nr. 9669 datë 18.12.2006 “Për Masa Ndaj Dhunës në Marrdhëniet Familjare”. Miratimi i këtij ligji ishte sfidë për Bajanën e cila mbante postin e Drejtoreshës Ekzekutive të Shoqatës. Duhej bërë ndërgjegjësimi i komunitetit për parashikimet ligjore, të drejtat që u garantoheshin dhe mënyrën se si dhe ku duhet të drejtoheshin për të kërkuar mbrojtje. Durrësi tashmë, me ndryshimet social-ekonomike dhe migrimin e brëndshëm kishte një rritje të popullsisë e cila sillte me vetvete kultura dhe mëndësi të kundërta. Këto fushata u shtrinë në  të gjithë zonën rurale, në pjesë të ndryshme të komunitetit duke kërkuar   ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave se dhuna në familje nuk duhej toleruar e duke u kërkuar burrave dhe djemve se dhuna e ushtruar prej tyre nuk i shërben krijimit dhe mbajtjes së familjes, por shkatërimit të shoqërisë.

 Të dhënat e para statistikore për dhunën në familje, pas miratimit të ligjit vijnë në vitin 2007, nga publikimi i INSTAT,  në raportin “Vrojtimi kombëtar me bazë popullatën për dhunën në familje”. Sipas këtij raporti në vitit 2007  të paktën 56,0% e grave dhe vajzave 15-49 vjeç kishin përjetuar dhunë në martesë/ marrëdhënien e tyre intime. Ndërkohë sot, pas rreth 10 vitesh  të dhënat e  publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), në një raport të fundit të saj  Shqipëria kishte nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra, sipas të dhënave që i referohen vitit 2016. Ky është niveli më i lartë në Evropë. 

Ky nuk është bilanci i viktimave të një konflikti të armatosur, por është bilanci i një lufte gjinore, të njëanshme, burra e djem që vrasin motrat, nënat, vajzat, të dashurat e  bashkëshortet e tyre. 

Në të tilla kushte, Bajana kuptoi që tani, thjesht të luftosh kundër dhunës në familje, kur në fakt të dhënat e vrasjeve janë më të larta, kërkon një tjetër nivel përfshirjeje. Kjo ishte dhe arsyeja e lobimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-së. Puna e saj e palodhur ka nisur me procesin  e konsultimit, seminare ndërgjegjësuese,  trajnime, takime jozyrtare koordinuese në nivel teknik dhe politik, me  përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë me qëllim hartimin e një plani kombëtar veprimi për zbatimin e Rezolutës 1325. 

Rezultat i punës dhe këmbnguljes së saj synonte  krijimin e një shoqërie  ku gratë kanë një rol të përforcuar dhe janë pjesëmarrëse aktive në ruajtjen e paqes, parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, sikurse dhe një shoqëri kontribuese në nivel ndërkombëtar në garantimin e të drejtave të grave të përfshira në situata konfliktuale.

Hapi final i punës disa vjecare e të palodhur  të saj u konkretizua me hartimin e Planit  të Veprimit, përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 524, datë 11.9.2018.

Rëndësia e hartimit të këtij plani është në angazhimin që marrin  institucionet qendrore të larta politikëbërëse në vend që veprojnë në fushën e sigurisë dhe të ruajtjes së paqes, çështjeve gjinore, si dhe që adresojnë angazhimet ndërkombëtare të vendit. [4]

Bajana ka qënë dhe vazhdon të jetë zëri dhe imazhi i të gjitha atyre grave që sot nuk janë më për shkak të dhunës, i atyre grave që në heshtje i nënshtrohen dhunës, i atyre që kërkojnë të rrisin familje të shëndetshme. Ajo është frymëzimi dhe mbështetja e cdo vajze dhe gruaje që do të thyejë ciklin e dhunës, që kërkon të ndryshojë mënyrën e të menduarit  e kërkon të vendosë vetë për jetën e saj. Është forca dhe mbështetja e munguar, shpesh herë edhe nga nëna, babai e familja. 

Bajana është emri i një heroine e cila pa pasur nevojën të jetë në qëndër të vëmëndjes, punon në heshtje, për një grua të pavarur, për një shoqëri të lirë e në paqe.

 

Shkruar nga Erisilda Shpata


[1]“Studimi global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat” UNODC - Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën

[3]Neni 18/2 : “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale