U zhvillua në zonën e Porto - Romanos, Durrës, takimi informues mbi të drejtat pronësore të grave dhe vajzave.  Gra dhe vajza të këtij komuniteti, u informuan lidhur me barazinë midis burrave dhe grave në lidhje me të drejtat pronësore, të drejtat e grave lidhur me trashëgiminë e pronës, si dhe çështjet pronësore të lidhura me dhunën. Njohja me institucionet ku mund të drejtohen dhe mënyra të zgjidhjes së konflikteve pronësore, u ndanë dhe diskutuan me gratë dhe vajzat e pranishme. Pjesëmarrëset shprehën interes lidhur me tematikën dhe ndanë eksperiencat e tyre lidhur me çështjet pronësore.

Ky aktivitet u zhvillua nga Shoqata Gender, Paqe e Siguri, në kuadër të Planit Strategjik të AWEN Albanian- Women Empowerment Network, mbështetur nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim - Sida, nëpërmjet programit “Fuqizimi i Grave, Mbrojtja e të Drejtave: Rruga drejt Barazisë Gjinore në Shqipëri”.